Me propozim të Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, Qeveria e Republikës së Kosovës ka votuar sot 7 anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) apo bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), ku të njëjtit do të procedohen për ratifikim në Kuvend.

Katër prej të emëruarve janë vendorë dhe tre ndërkombëtarë. Vendimi është marrë bazuar në rekomandimet e Komisionit për shqyrtimin e dokumentacionit të të nominuarve dhe vetënominuarve për anëtarë të KShC-së. MAShTI ka ndërmarrë të gjitha veprimet që procesi të jetë transparent.

Komisioni vlerësues ka qenë i përbërë nga 5 anëtarë të nominuar nga institucionet dhe përfaqësuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të shoqërisë civile. Procesi është monitoruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN).

MAShTI do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet që AKA të jetë e pavarur në punën dhe vendimet e saj, derisa pret që puna e tyre të realizohet me profesionalizëm dhe integritet të lartë. Anëtarët e KShC-së zgjedhen me mandat të caktuar 5 vjeçar.

Katër të emëruarit vendorë janë: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Seb Bytyçi dhe Krenare Pireva-Nuçi. Ndërkaq, tre anëtarët ndërkombëtarë, Alison Felce, Cassie L. Bernhardt dhe Werner J. Stueber janë emëruar në konsultim me partnerët ndërkombëtarë respektivisht me ndihmën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Ambasadës Britanike dhe Ambasadës Austriake përkatësisht Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).

Biografi e shkurtër e të emëruarve:

Hasnija Ilazi – Është doktore e Shkencave filozofike dhe vjen nga fusha “Edukimi, shkencat humane dhe artet”.

Gëzim Tosuni – Është doktor i Filozofisë dhe vjen nga fusha “Shkencat shoqërore, biznesi dhe drejtësia.

Krenare Pireva-Nuçi – Është doktore e Filozofisë në shkenca kompjuterike dhe vjen nga fusha “Shkencat e natyrës, matematika, kompjuterika dhe inxhinieria”.

Seb Bytyçi – Është doktor i shkencave në menaxhment dhe vjen nga fusha “Shkencat shoqërore, biznesi dhe drejtësia”.

Alison Felce – Është doktor i shkencave, me përvojë më shumë se 20 vjeçare në institucionet e arsimit të lartë dhe sigurimin e cilësisë në Mbretërinë Bashkuar. Aktualisht është i angazhuar në Agjencinë për sigurimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë në Mbretërinë Bashkuar.

Cassie L. Bernhardt – Është doktor shkence në edukimin e lartë, sjelljet organizative dhe menaxhment. Është profesor i asociuar në Universitetin e IOWA-s.

Werner J. Stueber: Është doktor shkence me fokus studimi në Pedagogji, sociologji dhe shkenca. Është ligjërues dhe profesor në një numër të madh të universitetesh.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *