22 Maji, Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të përkujtuar 22 majin e vitit 1992, kur u miratua teksti i Konventës së Biodiversitetit në të cilën edhe Shqipëria është palë.

Në kuadër të kësaj dite, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka publikuar foto nga një tjetër shpend të rrallë, që i është shtuar listës së shpendëve të rrallë në Shqipëri.

“Mirëmëngjes në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, po ndaj me ju lajmin se Dallëndyshja Krahëzezë e Detit sapo e ka pasuruar listën e shpendëve të rrallë në Shqipëri”, tha Rama.

Ndryshe, zonat e mbrojtura në Shqipëri tashmë janë habitate të qeta dhe të sigurta, ku fauna shtohet e pasurohet në vazhdimësi.

Ligatinat bregdetare dhe liqenet brenda Shqipërisë janë zona veçanërisht të rëndësishme për dimërimin e llojeve migratore.

Janë rreth 70 lloje shpendë uji me një popullatë prej 180,000 individësh që dimërojnë në këto zona. Të paktën katër prej tyre (Karavastaja, Narta, Shkodra dhe Ohri), konsiderohen si zona me rëndësi ndërkombëtare për shpendët e ujit njohur si IBA (Zona të Rëndësishme për Shpendët), apo zonat Ramsar, me më shumë se 20.000 lloje shpendësh uji për një zonë.

Por, vendosja e moratoriumit të gjuetisë ishte një iniciativë që me gjithë qëndrimin kundër të gjuetarëve e rriti ndjeshëm numrin e kafshëve të egra apo zogjve shtegtarë, madje edhe të atyre në rrezik zhdukjeje në Zonat e Mbrojtura, duke sjellë në Shqipëri disa nga llojet e shpendëve më të rrallë në botë.

Si pasojë e moratoriumit të gjuetisë, në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë është rritur numri i shpendëve të ujit, ku flamingot i gjejmë në këtë park si asnjëherë më parë.

Shtim të llojeve të faunës së egër ka edhe në Kune-Vain; në Liqenin e Shkodrës, në Nartë, Butrint, Orikum, Patok, në Karpen, Seman dhe në liqenin e Tiranës.

Pasuritë natyrore, bukuria e krahinave dhe pyjeve shqiptare janë kthyer edhe në një atraksion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj ku kanë mundësi të vëzhgojnë kafshë dhe shpendë të rrallë qëllon t’i hasësh në përditshmëri.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *