Vetëm 70 persona kanë aplikuar gjatë këtij viti për njohjen e statusit të viktimës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Numër më i vogël se kaq është i burrave që përjetuan tmerrin gjatë asaj kohe.

Pranë komisionit qeveritar për tre vjet janë paraqitur më shumë se 1400 lëndë, të cilat janë dëshmi e krimeve të luftës. Kjo adresë në të shumtën e rasteve është vendi i parë, ku viktimat arrijnë të rrëfejnë krimin që përjetuan. Për shkak të stigmës me të cilën po ballafaqohen të mbijetuarit, jo rrallë herë mungojnë dokumentacionet, e kjo po e vështirëson gjendjen e trajtimit të lëndës.

Në vitin e tretë të formimit të këtij komisioni, nuk ka numër të madh të lëndëve të cilat janë paraqitura për trajtim. Kryetarja e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj thotë për KosovaPress se numri total i aplikimeve është mbi 1400 raste.

“Kemi numër total në përgjithësi të aplikimeve 1463 raste. Meqë kërkuat për këtë vit, kemi 70 aplikacione që kanë aplikuar për vitin 2021. Prej tyre, të trajtuara deri më tani, u kemi njohur statusin 943 rasteve. Komisioni përfundimisht i ka trajtuar 1290 raste. Brenda këtij numri kemi edhe prej tyre të refuzuara, prej tyre 35 raste burrave u kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale”, deklaron ajo.

Derisa Begaj bën thirrje për aplikim të të gjithë të mbijetuarve të luftës për të gëzuar benificionet prej 230 euro, ajo shton se në rënien e numrit të aplikimeve mund të ketë ndikuar pandemia.

“Janë ndoshta edhe rrethana të ndryshme që kanë ardhur deri këtu. Por që ne besojmë që për këto vjet, muaj që kanë mbetur të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale duhet të marrin forcë edhe t’i drejtohen komisionit. Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë bërë këtë legjislacion në këtë format për hir të tyre, për të njohur statusin”, shton ajo.

Trajtimi i këtyre rasteve po konsiderohet i vështirë, meqë rrallë viktimat posedojnë dokumentacionet e nevojshme që i kërkon komisioni.

“Pavarësisht që disa nuk kanë mundur të paraqiten ose të paraqesin ngjarjen traumatike apo përshkrimin e atij narracioni, shumica prej arsyeve që ne i dimë, për shkak të mentalitetit, për shkak të rrethanave, stigmën në familje që nuk i kanë ruajtur dokumentet mjekësore. Qoftë edhe juridike apo një dokument që ka mund ta ketë në atë kohë. Ta kemi parasysh që është shumë me rëndësi që afati i ndodhjes apo i gjendjes traumatike dhe i shqyrtimit është goxha i lartë. Dhe kthimi pas 20 viteve është problem edhe për të mbijetuarit”, thekson Begaj për KosovaPress.

Derisa organizatat joqeveritare të cilat janë të licencuara për këtë proces kanë kritikuar disa herë komisionin për vonesa në trajtimin e këtyre ngjarjeve, Begaj thotë se ka pasur raste të cilat janë trajtuar edhe për të gjashtën herë.

“Mbi 50 përqind të lëndëve ndoshta pesë herë, gjashtë herë, i kemi trajtuar. Me të vetmin qëllim që mos të shkohet në përfundim të një refuzimi. Por në rrethana të caktuara gjithë atë proces që ne e kemi ndjekur, vjen deri në përfundim që me të vërtetë për një rast të caktuar ne e refuzojmë sepse komisioni nuk ka arritur të bindet me gjithë atë procesin administrativ që e kemi ndjekur”, deklaroi Begaj.

Afati përfundimtar për të parashtruar kërkesën për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale, është pesë vjet nga fillimi dhe zyrtarizmi i punës së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Ky komision ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.

https://www.youtube.com/watch?v=0MjA_ORmY8c

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *