Komisioni për shqyrtimin e kandidatëve për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese do t’i intervistojë sot 11 pretendentët që po synojnë këtë pozitë.

Avokati Vigan Qorrolli, i cili ishte në krahun e Lëvizjes Vetëvendosje sa herë që Gjykata Kushtetuese e hudhte poshtë ndonjë ankesë të këtij subjekti politik, është në mesin e kandidatëve për gjykatës në këtë gjykatë që është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në Kosovë.

Qëndrimet e tij prej juristi së fundmi kanë qenë gjithnjë në kundërshtim me vendimet e kësaj gjykate. Me forcimin e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike, Vigan Qorrolli përmes postimeve të tij në Facebook dhe paraqitjeve në media shprehej pothuajse gjithnjë në sinkroni me partinë e Albin Kurtit, kryeministrit aktual.

Afati i aplikimit për gjykatës të Kushtetueses ka përfunduar para disa ditësh, ndërsa emri i Qorrollit është i pari në listën e kandidatëve të publikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Përveç Qorrollit, për gjykatës të Kushtetueses kandidojnë edhe Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Hilmi Jashari, Valbona Shala-Thaqi, Visar Morina, Haxhi Xhemajli, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi.

Ky nuk është tentimi i parë i Qorrollit për t’u bërë gjykatës në Kushtetuese. Herën e fundit kur pati dështuar ta arrinte këtë, ai akuzonte se disa kandidatë favorizoheshin politikisht.

“Politika ka favorizuar disa kandidatë, përballë disa të tjerëve, duke mos i lënë deputetët e lirë të votojnë me ndërgjegjen e tyre dhe t’i votojnë njerëzit më të mirë në bazë të CV-së së tyre, ka bërë që Gjykata Kushtetuese të lëndohet më shumë se që është lënduar”, shprehej Qorrolli në RTV Dukagjini në gusht të vitit 2018.

Ai thoshte se deputetët ishin të detyruar të votonin pro përkrahësve të partive në qeveri, ndërsa këtë herë mund t’i duhet të shpresojë për të njëjtën.

“Kam tentuar që të jem një kandidat bipartizan, që t’i bindi të gjitha partitë politike që jam kandidati më i pavarur nga të gjithë të tjerët. Nuk ia kam dalë, sepse deputetët nuk janë lejuar të votojnë lirshëm dhe partitë e pushtetit kanë bërë pazare që t’i votojnë kandidatët e tyre të preferuar”, deklaronte Qorrolli.

Në tentimin e para tri viteve, ai kishte marrë më së paku vota (6) në Kuvendin e Kosovës, duke dështuar të bëhet gjykatës në Kushtetuese.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *