Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues.

Në këtë takim u folë për Konventën e 3 korrikut dhe rrugën që duhet të ndjekë përpara PDK-ja.

Anëtari i Kryesisë dhe deputeti Memli Krasniqi ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të ri të Partisë Demokratike të Kosovës.

Krasniqi ka thënë se PDK ka nevojë për të hapur një kapitull të ri, një projekt politik për qytetarin e Kosovës.

Ai tha se përtej një subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës është projekt madhor kombëtar e identitar që i ka dhënë fizionominë lirisë, pavarësisë dhe shtetit  sovran.

Deklarata e plotë e Memli Krasniqit:

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës,

Përtej një subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës është projekt madhor kombëtar e identitar. Tash e dy dekada, ajo i ka dhënë fizionominë lirisë, pavarësisë dhe shtetit tonë sovran. Sot, PDK ka nevojë për të hapur një kapitull të ri. Një projekt politik për qytetarin e Kosovës.

Më 3 korrik, do të kemi një proces demokratik zgjedhor për Kryetarin e PDK-së. Duke qenë krenar me rrugëtimin tonë për Kosovën, dhe duke ndier përgjegjësinë e madhe që kemi për të ardhmen, unë kam vendosur që të kandidoj për të udhëhequr PDK-në.

Jam plotësisht i bindur që së bashku do ta ndërtojmë profilin dhe ekipin që na duhet, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një adresë të mirëfilltë politike, për të cilën ata kanë shumë nevojë. Jam më se i vendosur që së bashku ta çlirojmë potencialin e demokracisë, meritokracisë dhe përkushtimit, që PDK-ja të jetë derë e hapur për gjithësecilin që don dhe ka çfarë t’i japë vendit, shoqërisë dhe institucioneve shtetërore.

Aspiroj dhe kam bindjen e thellë që me bashkimin e energjive të reja dhe përvojës sonë shtetformuese, do të hapërojmë së bashku me qytetarët e vendit tonë, me të rinjtë që kanë vizion, me gratë që kanë guxim, me intelektualët që kanë dije, me vlerat e emancipimit dhe kulturës politike qytetare. Kam besim të plotë se, me përkushtim të lartë dhe punë të madhe, PDK do të rikthehet shpejt, për ta rikthyer Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit, ku secili qytetar do të mund të jetojë i sigurt, me dinjitet e perspektivë.

Partia Demokratike e Kosovës ka qenë, është e do të mbetet e lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kauzën e saj të drejtë, prej ku edhe ka buruar. Asgjë e madhe, as e rëndësishme, as e qëndrueshme nuk ka ndodhur pa PDK-në në këto dy dekadat e fundit. Ndër vite, jemi sfiduar në shumë rrafshe, por kurrë s’jemi ndalur, as dorëzuar, e as dobësuar.

Ajo çfarë ka ndodhur padrejtësisht me Kryetarin Veseli dhe ish-Kryetarin Thaçi, këta dy drejtues të mëdhenj që na kanë motivuar me dekada, na ka lënduar shumë të gjithëve.

Megjithatë, vizioni i tyre dhe i PDK-së që ata kanë drejtuar, është më i madh e më i fortë sesa pengesat që mund t’i hasim rrugës. Prandaj, PDK-ja është përcaktuar për ta gjetur rrugën e vet të re që, duke ruajtur vlerat, të punojë për t’u rikthyer e për të qëndruar aty ku i takon vendi të jetë. Jo vetëm si subjekt garues, por si subjekt fitues. Jo vetëm për të kaluarën, por për të sotmen dhe veçmas për të ardhmen, me vendosmëri të palëkundur dhe qartësi të plotë.

Na duhet unitet, përkushtim e vendosmëri, që së bashku ta rikthejmë PDK-në si bindje, si perspektivë dhe si zgjedhje të parë të qytetarëve tanë. Kjo nuk është alternativë, por domosdoshmëri. Jo vetëm për PDK-në, por edhe për Kosovën.

 

Të dashur anëtarë dhe përkrahës të PDK-së,

 

Tash e 17 vjet, unë ndaj fatin tim politik me PDK-në. Për këtë rrugëtim, unë jam tejet krenar. E di që të ecësh pas hapave të dy liderëve tanë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nuk është e lehtë. Përkundrazi, është përgjegjësi shumë e madhe.

 

Por, unë besoj fund e krye në PDK-në, në njerëzit e saj besnikë dhe në qytetarët e çmuar të Republikës sonë, me të cilët së bashku do ta hapim kapitullin e ri për të cilin kemi aq shumë nevojë.

 

Qofshim të bekuar e dalshim faqebardhë!

 

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *