Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerëson se Qeveria Kurti II, në treguesin e performances se përgjithshme për këto 100 ditë shënon një shkallë prej 5.5 nga 10 në total. Ndërsa, në këtë 100 ditësh kjo qeveri po konsiderohet e ngadaltë edhe në përmbushjen e agjendës legjislative për këtë vit.

Arbër Fetahu nga GLPS e vlerëson se vetëm 14.5% e agjendës legjislativë është përmbushur ose iniciuar, dhe do të jetë e pamundur te zbatohet tërësisht deri në fund të vitit.

“Agjenda legjislative që Qeveria Kurti II ka publikuar është tejet ambicioze dhe afatet kohore nuk janë realiste. Kur krahasohet me agjendat legjislative të pesë viteve të fundit, qeveria Kurti II ka numrin më të lartë të iniciativave të reja për të ndryshuar plotësuar ligjet ekzistuese. Nga 93 projektligje të reja, 29 janë nisma të reja legjislative, ndërsa 64 janë trashëguar nga agjendat e mëparshme. Sa i përket performancës në këtë fushë, qeveria Kurti II mbetet e ngadaltë në ritmin e saj për të përmbushur agjendën legjislative të vitit 2021. Bazuar në analizën tonë vetëm 14.5% e agjendës legjislativë është përmbushur ose iniciuar, dhe do të jetë e pamundur te zbatohet tërësisht deri në fund të vitit”, tha ai.

Ndërsa për dialogun me Serbinë, Fetahu deklaroi se kjo mbetet çështja më delikate për Kosovën. Sipas analizës së GLPS-së qasje e Kurtit në dialog nga takimi i 15 qershor ka treguar një dallim prej paraardhësve të tij, derisa me shqetësim e shohin mosarritjen e një konsensusi politik për dialogun Kosovë-Serbi.

“Dialogu me Serbinë mbetet një nga çështjet më delikate dhe më të rëndësishme njëkohësisht për Kosovën në fushën e politikës së jashtme. Më 15 qershor 2021, Kurti dhe Vuçiq u takuan ballë për ballë për herë të parë nën formatin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Takimi i parë zbuloi se të dy palët kanë pikëpamje të kundërta në lidhje me një zgjidhje përfundimtare që mund të rrjedhë si pjesë e Dialogut. Qasja e Kurtit në takimin e parë në dialog paraqiti një ndryshim në krahasim me paraardhësit e tij. Përveç kërkesës për njohje nga Serbia, kryeministri Kurti bëri katër propozime që përfshinin çështjet nga bashkëpunimi rajonal ekonomik, marrëveshja e paqes, e deri te për personat e zhdukur. Sidoqoftë, nuk u arrit asnjë konsensus për propozimet e Kurtit dhe as për agjendën e dialogut. GLPS e sheh si deficit mosarritjen e konsensusit të brendshëm politik mbi vijueshmërinë e dialogut Kosovë Serbi dhe mungesën e një platforme të qartë dialoguese ku parashihen objektiva të qarta nga ana kosovare”, theksoi Fetahu.

Në aspektin e politikës së jashtme GLPS kërkon që reforma në shërbimin e jashtëm të qëndroj larg hakmarrjes politike, emërimet e reja nëpër ambasada të jenë apolitike.

“Plani për politikën e jashtme dhe diplomacinë, në planin qeverisës është shumë i përgjithshëm, nuk specifikon problematikat dhe në të njëjtën kohë nuk jep detaje se cilat do të jenë zgjidhjet e kësaj qeverie. Sidomos në fushën e shërbimit të jashtëm, duhet të specifikohet se si do të bëhet reforma, cilat do të jenë parimet dhe cila institucione do t’i nënshtrohen kësaj reforme. Reforma në këtë shërbim duhet të qëndroj larg hakmarrjes politike, të mos bazohet në emra individual dhe të bazohet në parimet e meritës dhe performancës. Deri më tani nuk kemi parë një strategji të qeverisë në këtë fushë. Gjithashtu, qeveria duhet të dëshmojë se emërimet e reja në ambasada do të jenë apolitike dhe të mos jenë përfaqësues politikë”, u shpreh ai.

Në fushën e sundimit të ligjit, GLPS vlerëson se qeveria ka ndërmarrë disa iniciativa, teksa te rimëkëmbja ekonomike më shumë ka pasur premtime se sa rezultate të prekshme.

“Qeveria Kurti deri më tani nuk ka arritur që shumicën e objektivave dhe masave ekonomike t’i përfundojë në këtë tre mujor të parë. GLPS e sheh me shqetësim që deri më tani vetëm 6 milionë janë ndarë për mbështetjen e sektorit privat të prekur nga pandemia, gjegjësisht sektorin e gastronomisë dhe transportit privat. Mungesa e masave tjera në veçanti për kategoritë të sektorit privat është një deficit substancial i kësaj qeverie, marrë parasysh dëmet e theksuara të shkaktuara nga pandemia. GLPS e sheh me shqetësim vonesën në implementimin e Pakos së Rimëkëmbjes ekonomike që derivon nga Ligji mbi Rimëkëmbjen Ekonomik. Aspekt pozitiv vlerësohet, kalimi në lexim të parë të heqjes së homologimit, si politikë progresiste në shërbim të qytetarit. Gjithashtu, një serë bordesh të ndërmarrjeve publike janë shkarkuar dhe e zëvendësuar me borde të reja, veçse ende nuk është paraqitur ndonjë strategji nga Qeveria dhe bordet e reja për ri vitalizmin e këtyre ndërmarrjeve”, tha Fetahu.

Lirika Agusholli nga GLPS tha se në këto 100 ditësh performanca e përgjithshme e Qeverisë Kurti II “duket e vakët”.

“Qeveria Kurti II në treguesin e performancës së përgjithshme për këto 100 ditë shënon një shkallë prej 5.5 nga 10 në total. Kjo notë vlerësimi është matur bazuar në indikatorët siç janë: premtimet e fushatës elektorale dhe programin qeverisës, si dhe implementimi i tyre në këtë 100 ditësh. Duke marre parasysh narracionin transformativ të qeverisë Kurti II, pritjet nga ana e qytetareve dhe në anën tjetër realizimin e politikave që nga shëndetësia e deri te politika e jashtme, kemi ardhur në ketë përfundim se performanca gjenerale është thënë së buti e vakët”, tha Agusholli.

Në fushën e planifikimit dhe koordinimit sipas analizës së tyre ka shumë ngecje dhe nevoja për përmirësim është e domosdoshme. Sa i takon transparencës së përgjithshme GLPS ka vlerësuar se Zyra e kryeministrit ka shënuar një notë të ulët për shkak se ka qenë e mbyllur ndaj publikut, mediave dhe shoqërisë civile.

“Në fushën e transparencës së përgjithshme në ketë drejtim qeveria Kurti II, ka shënuar një vlerësim me notën 6.5. Ky vlerësim është bërë duke e matur transparencën në relacion me publikun, me vendimet e marra nga dikasteret e qeverisë, si dhe nga transparenca e Zyrës së kryeministrit. Kjo e fundit, ka shënuar një notë të ulët të vlerësimit si pasojë e mbylljes ndaj publikut, mediave dhe shoqërisë civile në shumë aspekte. Kapacitet njerëzore: në ketë 100 ditësh deficit i theksuar është shënuar në fushën e kompletimit të stafit profesional dhe politik në kabinetin e kryeministrit, zëvendës kryeministrave si dhe në tërësi në kabinetet ministrore, duke u notuar me 3 pikë. Në bazë të monitorimit tonë që nga Zyra e kryeministrit deri te çdo ministri ka mungesë të kompletimit të kabineteve. Më problematik bëhet fakti që këto institucione nuk kanë treguar transparencë në publikimin e stafit të punësuar në këtë periudhë. Ngecja në kompletim në fushën e burimeve njerëzore direkt ka ndikuar performancën e përgjithshme për të shënuar një rezultat jo të kënaqshëm”, tha ajo.

Lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19 analiza e GLPS thotë se menaxhimi i pandemisë deri ne ditën e 100-të ka shënuar një progres solid. Agusholli thotë se e shohin me shqetësim numrin e vogël të të vaksinuarve në Kosovë.

“Mungesa e një strategjie të qartë operacionale ishte evidente pasi situata u përkeqësua dhe reagimi i qeverisë nuk ishte i përshtatshëm për kushtet e krijuara. Sidoqoftë, me sigurimin e një numri më të madh të vaksinave dhe me masa shtese, menaxhimi i pandemisë deri në ditën e 100-të ka shënuar një progres solid. Shqetësim mbetet numri i të vaksinuarve pasi Kosova renditet e fundit në rajon sa i përket vaksinimit të popullatës dhe mbetet larg objektivit që është 60% e vaksinimit të popullatës deri në fund 2021. GLPS e sheh me shqetësim fillimisht vonesën për sigurimin e vaksinave dhe tempos ende të ulët të distribuimit të tyre, dhe jo menaxhimit të duhur të procesit të imunizimit në fazën e pare”, tha ajo.

Qeveria Kurti II dje ka shpalosur punën e 100 ditëve të para. Kryeministri Albin Kurti tha se kanë përmbushur premtimin bazë për menaxhimin me pandeminë dhe sigurimin e vaksinave kundërCOVID-19. Ai para vartësve të tij përmendi si sukses “ringjalljen” ekonomike, implementimin e zotimeve për sundim të ligjit, si dhe depolitizimin e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike. /KP

By admin2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *