Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ia ka rikujtuar Kryeministrit Albin Kurti, një fjalim në Kuvend, ku e kishte kritikuar Qeverinë Hoti për keqmenaxhim të pandemisë, dhe e kishte lavdëruar veten se për 100 ditë qeverisje, është ulur numri i rasteve pozitive.

Molliqaj ka shkruar në Facebook se në ditën e 150-të të qeverisjes së Kurtit, janë shënuar 2 mijë e 110 raste pozitive me COVID-19, e Molliqaj thotë se kjo sipas logjikës së Kurtit i bie të jetë qeverisje skandaloze që po e rrezikon jetën e qytetarëve.

“Në ditën kur Qeveria Kurti e mori pushtetin, kishim 700 raste me COVID. Njëqind ditë më vonë, kishim vetëm 9 raste të reja. “Qeverisjen tonë duhet ta vlerësoni në bazë të kësaj statistike”, na tha Kurti. Le të vazhdojmë pra: në ditën e 150-të të qeverisjes Kurti, kemi 2110 raste të reja me COVID. 4 vdekje. Pra brenda vetë logjikës së Kurtit, kemi qeverisje skandaloze që po rrezikon seriozisht e po ua merr jetët qytetarëve”, ka shkruar Molliqaj.

Molliqaj ka përmendur edhe kandidimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në zgjedhjet lokale.

Ai thotë se për Kurtin, shëndetësia është vetëm statistikë që mund ta përdorë për rritjen eventuale të pushtetit.

“E ndërkohë që rastet rriten, Kurti dërgon Ministrin e Shëndetësisë në zgjedhje lokale. Sepse për të shëndetësia është vetëm statistikë që mund ta përdor për rritje eventuale të pushtetit e jo angazhim për jetën e mirëqenien e njerëzve. Prej fillimit Ministrin e kishte kandidat, jo ministër. Prandaj edhe dështimi i procesit të vaksinimit. Sepse për 150 ditë të qeverisjes Kurti s’patëm projekt as strategji për shëndetësinë dhe luftën anti-COVID. S’patëm madje as ministër e Ministri të Shëndetësisë”, ka shkruar Molliqaj.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *