Kalimi i pushtetit në Afganistan nuk po kalon pa rezistencë. Në dy qytete të vendit, protestues të shumtë kanë dalë nëpër rrugë e kanë ngritur flamurin qeveritar ndërsa talebanët i janë përgjigje me breshëri plumbash.

Trupa ushtarake besnike ndaj zv/presidentit Amrullah Saleh valëvitën në Luginën Panjshir flamurin e “aleancës kombëtare”, ligës së krerëve të luftës dhe politikanëve kundër ekstremistëve talebane. Kjo zonë ndodhet vetëm 80 milje në veri të Kabulit; xhihadistët nuk kanë arritur ta marrin asnjëherë kontrollin  e saj.

Tubues të shumtë dolën nëpër rrugë dhe në qytetet Xhalalabad dhe Khost; shumë prej tyre ishin studente që nuk pranojnë t`i binden talebanëve e kanë hequr emblemën e grupit ekstremist nga sheshet qendrore duke e zëvëndesuar me flamurin kombëtar. Pamjet filmike në rrjetet sociale treguan sesi grupe talebanësh hapën zjarr ndaj turmës së njerëzve, e shkaktuan sipas Al Xhazirës të paktën 2 të vdekur e 12 të plagosur.

Vizioni paqësor që talebanët u përpoqën të tregonin gjatë konferencës së tyre për shtyp, duket se po davaritet më shpejt nga sa pritej. Fox News thotë se raprezalja ndaj grave ka nisur; një vajzë e re sipas rrjetit televiziv është ekzekutuar në mes të rrugës në Taloqan vetëm sepse refuzoi të mbante burka. Frontin e “moderuar” afgan e tradhëtojnë edhe raportet mbi një grup të ashtëquajtur “Engjëjt e Shpëtimit”  të cilët po shkojnë derë më derë duke tërhequr zvarrë kundërshtarët politikë ndërsa pamjet filmike nga ndëshkimi publik i një hajduti makinash, kanë bërë xhiron e rrjetit.

Donald Trump e fshikulloi ashpër pasardhësin e tij jo për idenë e tërheqjes nga Afganistani, por për mënyrën sesi e realizoi atë duke shkaktuar kaosin që të gjithë po dëshmojnë sot. “Ky ishte turpi më i madh në historinë amerikane”, tha Trump që shtoi se ai vetë kishte kërcënuar të rrafshonte vendlindjen e kryenegociatorit taleban nëse militantët nuk respektonin marrëveshjen e paqes.

Top Channel

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *