Gjenerali amerikan Mark Milley në një konferencë për shtyp nga Pentagoni tha se forcat e sigurisë afgane kishin trajnimin dhe aftësinë për të mbrojtur vendin, por gjithçka i ngeli në dorë “dëshirës dhe lidershipit”.

“As unë, askush tjetër nuk na e merrte mendja që një ushtri e përmasave të tilla të kapitullonte në 11 ditë”, tha ai.

Gjenerali amerikan u pyet sesi misionet e SHBA për të evakuuar të gjithë shtetasit amerikanë që duan të largohen nga Afganistani mund të jenë të suksesshme, kur disa mbeten në zona të ndryshme të këtij shteti dhe jo në aeroportin e Kabulit.

“Departamenti i Shtetit po punon me talibanët për të mundësuar kalimin e sigurt të shtetasve amerikanë në aeroport”, tha ai. “Kemi aftësinë për të bërë gjëra të tjera nëse do të jetë e nevojshme”, shtoi Milley. Gjenerali u shpreh po ashtu se në aeroportin e Kabulit po procesohen një numër i madh njerëzish.

“Ne jemi Ushtria e SHBA dhe kemi ndërmend të evakuojmë të gjithë shtetasit amerikanë që duan të largohen nga Afganistani”, theksoi Milley, duke e përshkruar këtë të fundit si prioritetin numër 1. Sipas tij, deri më tani, SHBA ka evakuuar rreth 5 mijë persona.

Më herët, rënien e forcave të sigurisë afgane e komentoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili e konsideroi këtë një “tragjedi”. “Ka shumë mësime të vështira për të nxjerrë nga ngjarjet e fundit në Afganistan”, tha ai për BBC.

Stoltenberg fajësoi mungesën e lidershipit dhe logjistikës nga qeveria afgane dhe jo ushtarët, të cilët i konsideroi trima dhe profesionistë.

Ai tha se NATO shkoi në këtë shtet pas sulmit në SHBA dhe një moment që Amerika vendosi fundin e prezencës së saj ushtarake në Afganistan nuk kishte opsion praktik për aleatët europianë për të qëndruar. “Plani jonë nuk ishte kurrë për të qëndruar përjetë në Afganistan”, tha ai.

 

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *