Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ardian Kastrati, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, pas fjalimit të këtij të fundit në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Sipas Kastratit, kryeministrit Kurti po i duket vetja si Fan Noli.

“Kurti, dje në panelin e Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, prapë i paska shitur mend Bashkimit Evropian. Kurti paska thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë në arritjen e një marrëveshjeje të SEFTA-s (propozim i Kurtit), ku do të përfshihen katër elemente, etj., etj., etj., etj. Kogja mirë. Bravo djalosh. Eeee gjynahit, këtij të shkretit po i duket vetja si Fan Noli”, ka shkruar Kastrati në reagimin e tij në Facebook.

Kastrati, përmes këtij reagimi, ka thënë se për kryeministrin Kurti më e rëndësishme është që të marrë pak vëmendje para kamerave sesa situata me virusin COVID në vend.

Ai gjithashtu ka thënë se politika që po ndodh aktualisht është e gërditshme.

Postimi i plotë i Kastratit:

Kurti, dje në panelin e Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, prapë i paska shitur mend Bashkimit Evropian. Kurti paska thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë në arritjen e një marrëveshje të SEFTA-së (propozim i Kurtit), ku do të përfshihen katër elemente, etj, etj, etj, etj.

Kogja mirë. Bravo djalosh. Eeee gjynahit, këtij të shkretit po i duket vetja si Fan Noli.

Imagjinoni se si ndihen aty disa kryeministra të Ballkanit që i kanë ekonomitë e ushtritë shumëfish më të zhvilluara se Kosova kur ky ju mban ligjërata. Imagjinoni se si ndihen përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kur ligjërata për zgjerimin dhe integrimet në BE ju mban kryeministri i vendit më të varfër prezent aty në tavolinë.

Imagjinoni se si ndihen aty ata diplomatë kur ligjërata ju mban kryeministri vendi i të cilit shënon rekorde me të vdekur nga Covid dhe që ka më së paku të vaksinuar.

Natyrisht, disa të Ballkanit qeshin me cinizëm e të tjerët ndihen të tallur nga Kurti. Ama ky se ka gajle gjendjen faktike në terren. Si gjithë, me rëndësi për të është me marrë pak vëmendje para kamerave.

A është në tokë të Zotit ky njeri? Atje pasi e pi do verë e alkool ju shet mend Evropës!

Këtu në terren Arben Vitia ( Arben barcoleta) vjen i rrezitur prej detit e neve na vdesin dhjetëra njerëz në ditë, refuzohen donacione të vaksinave që kanë mund me shpëtu jetë njerëzish, me mijëra vaksina hedhën jashtë përdorimit, në vikend nuk vaksinojnë, nuk ka ekipe mobile etj.

Gjynah prej popullit të shkretë! Vdekja po u troket në derë çdo ditë ndërsa vaksina e terminë s’ka, e kryeministri “i mençëm” po i mban ligjërata perëndimit.

Problemi është që ai s’po di cëka me rrejt ma! Më herët për cëdo problem në këtë vend për 20 vjet me radhë thoshte opozita i ka fajet. Madje edhe shi e borë kur ka ra, sipas tij, opozita e sotshme i kishte fajet. Tash, COVID-i është problem i ri, i ka një vit e jo 20 vjet, kështu që e ka problem me gjetë rrenën e radhës. Edhe pse ky të befason! Veç kur të del një ditë e të thotë Kadria e Hashimi kanë gisht në laboratorin e Wuhanit në Kinë prej nga ka shpërthy COVID-i.

Marre çka bën ky njeri para syve të qytetarit.

POLITIKË E GËRDITSHME. DEMAGOG PATETIK

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *