Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për proceset gjyqësore kundër krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në një intervistë dhënë për “DW”, ajo ka thënë se proceset në fjalë duhet të jenë të pavarura dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Mendoj që është e domosdoshme që të ketë procese të pavarura, të paanshme dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet e Kosovës. Sepse është pikërisht Kushtetuta jonë dhe këto ligje, që e kanë themeluar këtë gjykatë apo Dhomat e Spezializuara, siç njihen dhe janë themeluar, me përkrahjen e madhe të Parlamentit të Kosovës në atë kohë, me më shumë se dy të tretat”, ka thënë ajo.

Sipas Osmanit, formimi i Speciales ka qenë një akt ku Kosova ka dëshmuar se nuk i frikësohet drejtësisë ndërkombëtare.

“ Dhe ky ka qenë një akt ku Kosova ka dëshmuar se, jo vetëm që nuk i frikësohet drejtësisë ndërkombëtare, por bashkëpunon me drejtësinë ndërkombëtare, sepse e vërteta e Kosovës ka ndodhur para syve të të gjithë botës”, ka thënë ajo.

Por, në kontekstin e akuzave, Vjosa Osmani ka përmendur “ngjarje” kur të përfshirë kanë qenë individë pas luftes, dhe se sipas saj ato nuk mund të barazohen moralisht me gjenocidin e bërë nga regjimi i Millosheviqit.

E nuk dihet se për çfarë veprime pas luftës e ka pasur fjalën presidentja, pasi që asnjëri nga të akuzuarit e tanishëm në Hagë nuk ka qenë i dënuar për të tilla pretendime.

“Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe nuk lejojmë asesi që këto tendenca për rishkrimin e historisë të shkojnë përpara, sepse asesi nuk mund të pranojmë që të krijohet një barazi morale mes asaj çfarë ka bërë regjimi i Milosheviçit, si sistem i sponsorizuar nga shteti, i cili ka kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, dhe çfarë mund të ketë ndodhur me disa individë pas luftës. Ato asnjëherë nuk kanë qenë veprime institucionale apo të përkrahura nga populli i Kosovës. Në secilin rast, Kosova ka dhënë përkrahjen e saj për këto institucione, gjithnjë duke besuar që drejtësia ndërkombëtare edhe njëherë do ta nxjerrë Kosovën faqebardhë”, ka thënë ajo.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *