Terapia e shtrenjtë për shërimin e Covid-19 po e bën të pamundur që pacientët të marrin terapitë adekuate për shërim nga ky virus.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë tha se kanë pranuar ankesa nga shumë pacientë të cilët e kanë të pamundur t’i paguajnë barnat për trajtimin e Covidit.

Madje ai thotë se sidomos për rastet që jetojnë me më pak se 1 euro në ditë këto çmime janë “vrasëse” për ta.

“Ne kemi pasur raste të ankesave të pacientëve të cilat kanë ardhur si rezultat i pamundësisë për me i paguar barnat për trajtimin e sëmundjes dhe ne kemi adresuar në vazhdimësi këto ankesa që disa herë kanë shkuar deri në katër e pesë mijë euro për trajtimin e një pacienti. Padyshim që për rastet të cilat jetojnë me më pak se 1 euro në ditë këto janë si me thanë vrasëse për ta”, tha Kodra.

Sipas tij, është dashur që ministria e Shëndetësisë të sigurojë barna për gjithë pacientët dhe të kompensohen nga dëmet e pandemisë, pasi ka shumë prej tyre që kanë ndërprerë terapinë.

“Ministria e Shëndetësisë është dashur të siguroj barna për gjithë pacientët të cilët trajtohen eventualisht nëse këto barna nuk kanë mundur të sigurohen është dashur që gjithë pacientët të kompensohen në mënyrë që ata të mund ta trajtojnë sëmundjen si duhet. Ne bazë të hulumtimeve që i kemi ka pacientë që e kanë ndërprerë terapinë në pamundësi për me e ble”.

Vdekjet e shumta nga Covid-19 nga sipas tij, nuk janë të rastësishme pasi ka raste që do mund të shpëtoheshin disa nga to nëse do kishin një trajtim më të dinjitetshëm, raporton EO.

“Nuk janë të rastësishme vdekjet si me thanë disa nga to kanë mundur të shpëtohen sikur të kishin pasur trajtim më të dinjitetshme nëpër spitale, barna më cilësore dhe furnizim më të mirë. Numri i lartë i vdekjeve tregon që pandemia nuk është menaxhuar në mënyrën më të mirë”.

“Prej fillimit të pandemisë të gjitha qeveritë kanë qenë dorëlirë në ndarjen e mjeteve për gjëra të ndryshme. Është dashur të ndahen mjete për blerjen e barnave, furnizim me material shpenzues që pacientit ose stafit shëndetësor mos t’i mungojë asgjë për trajtimin e sëmundjes”.

Edhe Farmacistja Laureta Berisha-Kosumi, në një intervistë për Ekonomia Online tha se në barnatoren ku ajo punon vijnë raste nga me të ndryshmet dhe çmimi i barnave është mjaftë i lartë.

“Terapia te pacientët me Covid-19 përfshin disa lloje të barnave anti-virale, anti-biotike dhe suplemente shtesë, dhe kostoja e një terapie të tillë është mjaftë e lartë e marrë parasysh ku shumë herë nëpër qendra të mjekësive familjare mungojnë barna të shumta”, tha ajo.

Ajo thotë se ndihen keq kur shohin qytetarë që nuk i kanë të hollat për terapi, madje kjo rëndon gjendjen e tyre fizike dhe psikike.

“Marrë parasysh që pacientët sapo i kanë bërë testet adekuate dhe kanë dalë pozitiv kanë marrë përshkrimet dhe na drejtohen në barnatoret tona, por që çmimi është mjaftë i lartë i terapisë dhe normalisht që ndihemi keq kur nuk i kanë të hollat dhe kështu rëndon gjendjen e tyre fizike dhe psikike”.

Përballja e tyre me raste të tilla bën që shpesh të rastisin edhe me manipulime për interesa të ndryshme që i’u bëhen pacientëve thotë ajo.

“Për neve si farmacistë është mjaftë e vështirë të përballesh sidomos për ata që kanë marrë terapitë e kushtueshme. Pastaj edhe mos ndërrimi i terapisë ku pacientët mendojnë që nuk duhet të marrin terapi më të lirë, dhe këtu kemi një manipulim me ta”.

Berisha-Kosumi propozon që të ketë një protokoll të caktuar të përshkrimit të barnave dhe jo doemos të jenë të shtrenjta dhe me një kosto që xhepi i qytetarëve nuk mund t’i përballojë.

“Sipas mendimit tim si farmaciste terapi anti-Covid do duhej të ishte me një protokoll të caktuar të përshkrimit të barnave dhe jo të përshkruhej çfarëdo sublementi nga ana e mjekut, pasi ka raste sociale të pacientëve, sikur sot që më ka ndodhur dhe ju shkruhet pa arsye një terapi e caktuar në bazë të interesave të caktuara”, përfundoi ajo.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *