Askush nuk po lejohet të kalojë barrikadën në urën e Liqenit të Ujmanit, e cila lidh rrugën për në Bërnjak.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje pse nuk po lejohet kalimi në këtë pjesë.

Telegrafi ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, për të marrë vesh se pse ka ndodhur një gjë e tillë dhe është në pritje të përgjigjes.

Ndryshe, mëngjesin e së enjtes zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka bërë të ditur për Telegrafin se situata po vazhdon të jetë e njëjtë në atë pjesë.

Ai tha se gjendja edhe gjatë natës ka qenë e qetë dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që e kanë vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi dhe si çdo herë Policia e Kosovës po bën punën e saj në mënyrën më të mirë”, tha Kelani.