Filozofi Blerim Latifi, në emisionin Pressing në T7, ka folur për zgjedhjet në Prishtinë, ku tregoi se cilat parti do të shkojnë në balotazh dhe se kush do të jetë befasia e zgjedhjeve, shkruan Express.

Latifi tha se në balotazh do të shkojnë Vetëvendosje me LDK-në, ndërsa Uran Ismaili mund të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve si rezultat i fushatës së tij.

“Këtë e përcakton aspekti organizativ dhe strukturor i partive. Nëse nisemi në këtë aspekt, unë konsideroj se balotazhi në Prishtinë do të jetë me gjasë në mes të VV-së dhe LDK-së”, është shprehur Latifi.

Sipas Latifit, Ismailin e penalizon mungesa e strukturave të fuqishme të PDK-së në Prishtinë, gjë që nuk i mungon LDK-së.

“Ajo çka e penalizon Uranin është mungesa e një strukture të fuqishme të PDK-së në Prishtinë. Në Prishtinë, PDK-ja gjithmonë ka qenë e dobët. Gjithmonë e ka pasur një degë që është jofunksionale”, ka thënë Latifi.

“Përparim Rama nuk është duke shkëlqyer në garën e tij, por janë strukturat e fuqishme të LDK-së në Prishtinë. Një karakteristikë e LDK-së: strukturat e kësaj partie gjithmonë duken të fjetura, mirëpo në momentet vendimtare ato aktivizohen”, ka thënë Latifi.

E befasi sipas Latifit mund të jetë fushata e fuqishme e Uran Ismailit të PDK-së.

“Megjithatë fushata e fuqishme që është duke e bërë kandidati i PDK-së mund të ketë efekt dhe unë pres që do të ketë PDK-ja rritje”, thotë Latifi.

“Unë konsideroj se VV-ja ka gabuar shumë që ka zgjedhur këtë metodologji të fushatës. Pra, me idenë se këto zgjedhje janë vazhdimësi e 14 shkurtit dhe krejt çfarë duhet të bëjmë është t’i injorojmë. Ju po e shihni se edhe Kurti nuk është duke bërë ndonjë paraqitje të veçantë, përveç aksionit në veri të vendit. Pra, konsideroj se do t’i kthehet bumerang VV-së në këto zgjedhje”, shtoi Latifi.

 

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *