Qeveria e Kosovës në pesë vjetët e ardhshme do t’i rimbursojë qytetarëve rreth 120 milionë euro për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti.

Megjithëse, u konstatua se vendimi i vitit të kaluar e ka ulë kredibilitetin e Fondit të Kursimeve Pensionale, likuiditeti financiar i fondit nuk është i rrezikuar.

Në raportimin e Bordit dhe drejtorit të Fondit të Kursimeve Pensionale sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, u tha se likuiditeti do të ishte lëkundur nëse nuk do të kishte rimbursim nga ana e shtetit.

Kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, tha se tërheqja e 10 përqindëshit ka qenë shqetësim i tyre, pasi mund të krijohet precedent dhe të ulë kredibilitetin e Fondit Pensional.

“Lejimi i tërheqjes së 10 përqindëshit e ulë kredibilitetin e Fondit Pensional. Ne nuk kemi çka ta komentojmë. Ka qenë një nga brengat tona që i kemi shprehur, pasi precedentët janë të rrezikshme. Këto janë mjete pensionale të deleguara të merren me arritjen e moshës së pensionimit. Si të tilla nëse këto mjete preken herë pas here për arsye nga më të ndryshmet, gjithmonë konstatimi mund të ngrihet si i tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm me skemat pensionale”, tha Morina.

Pavarësisht kësaj, drejtori i Trustit Ardian Zalli bëri të ditura shifrat e rimbursimeve që do të ndodhin.

“200 milionëshi nuk është komplet që do të rimbursohet. Për rimbursime është deri 1000 euro të tërhequra, që i bien diku rreth 120 milionë euro”, tha Zalli.

Ky rimbursim, sipas kryesuesit të bordit e zvogëlon ndikimin tek likuiditeti.

“Sa i përket likuiditetit impakti i tij do të ishte më i madh nëse nuk do të ishte rimbursimi, kjo nuk e ka prekur likuiditetin e fondit si tërësi, por llogaritë individuale të secilit. Ligji e parasheh, por edhe qeveria aktuale e ka me vendim planin e rimbursimit. Ky impakt nuk do të jetë shumë i madh. Këto mjete do të rimbursohen. Realisht, kjo e zvogëlon ndikimin tek likuiditeti”, tha Morina.

Ish-kryeministri, tashmë deputeti Avdullah Hoti, duke mbrojtur vendimin për tërheqjen e 10 përqindëshit, tha se ndikimi për kosto oportune është i vogël dhe i papërfillshëm.

“Prej 185 milionëve apo 200 milionë që janë tërhequr, rreth 120 milionë do të kompensohen në pesë vjetët e ardhshme. Nëse e marrim një rast hipotetik të themi dikush se i ka tërheq 800 euro dhe të themi se mosha e tij është 40-50 vjeç. Sa ndikohet pensioni i tij kur ai mbush 65-vjeç nga ky vendim që është marrë për tërheqje të mjeteve? Pasi në bazë të gjitha vlerësimeve që janë bërë kur është bërë ky vendim, personat që kanë tërhequr deri 1000 euro, ndikimi është aq i vogël sa është i papërfillshëm. Është me rëndësi që të kemi kujdes kur i klasifikojmë si kosto oportune të këtyre vendimeve”, tha ai.

Me një konstatim të tillë nuk u pajtua deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Erman Rrahmani, i cili tha se tërheqja e 10 përqindëshit ka qenë praktikë jo e mirë.

“Tërheqja e 10 përqindëshit ka qenë praktik jo e mirë dhe shpresojmë që të mos përsëritet. Shpërndarja e rimbursimi po bëhet i padrejtë, pasi këtu përfitojnë më shumë ata që kanë paga më të mëdha prej shtetit, kurse përfitojnë thuajse fare ata që janë të diskriminuar”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme, komisioni miratoi edhe marrëveshjen për kredinë 40 milionëshe me Bankën Evropiane për financimin e projektit “Reagimi I Kosovës ndaj Pandemisë COVID-19 për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.

Ministri i Financave Hekuran Murati tha se kapitali i kësaj kredie do t’i transferohet Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

“Ka synim rritjen e kapitalit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe 40 milionë euro shtesë, duke i mundësuar këtij fondi të garantojë edhe rreth 120 milionë shtesë kredi për bizneset. Kjo marrëveshje do t’i mundësojë bizneseve të financojnë projekte kapitale apo shpenzime operative, të cilat nuk kanë pasur mundësi të financojnë si pasojë e mungesës së likuiditetit të shkaktuar nga pandemia COVID 19, apo si pasojë e kolateralit të nevojshëm për të marrë hua nga bankat. Kapitali prej 40 milionë euro do t’i transferohet Fondit për Garanci Kreditore”, tha Murati.

Komisioni për Buxhet i përcjelli Kuvendit edhe emrat e kandidatëve për tre anëtarë jo ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – Bashkim Nurboja, Bedri Peci, But Dedaj, Kosovare Ukshini. Mimoza Mustafa, Behxhet Brajshori, Driton Balaj, Edona Perjuci-Ukaj, Imrije Zeqiri, Nora Latifi-Jashari, Nuhi Ahmeti dhe Petrit Gashi.

Krahas këtyre, komisioni nuk miratoi raportin vjetor financiar të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2020./KP

By admin2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *