Edhe në seancën e rigjykimit, ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, është deklaruar sërish i pafajshëm për korrupsion. Të pafajshëm për keqpërdorim detyre janë deklaruar edhe dy ish-zyrtarët komunal, Gani Rama dhe Ismet Isufi. Ndërsa, Veli Hajdaraga është deklaruar i pafajshëm për mashtrim me subvencione.

 

Këto deklarime, të akuzuarit Lekaj, Rama, Isufi dhe Hajdaraga i bënë të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të komunës së Gjakovës.

Bashkë me ish-kryetarin Lekaj, për keqpërdorim të pozitës po akuzohet edhe ish-zyrtarët komunal, Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione po akuzohet Veli Hajdaraga.

Pas deklarimit të të akuzuarve rreth fajësisë, prokurori Atdhe Dema në fjalën e tij hyrëse tha se aktakuza e Prokurorisë gjen mbështetje të fuqishme në të gjitha provat e propozuara në të.

Sipas prokurorit Dema, kjo aktakuzë vërteton në tërësi veprimet inkriminuese të të akuzuarve dhe ato pikë së pari që lidhen me kohën, vendin dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale.

“Kemi shkresa të lëndës të cilat paraprakisht janë shqyrtuar dhe vlerësuar një nga një në shqyrtimet paraprake, kemi ekspertizat, janë dëgjuar ekspertët pos të ndjerit Q.H, ekspertiza e të cilit është pranuar”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje sipas tij, me këtë aktakuzë në tërësi me provat e propozuara është vërtetuar edhe elementi subjektiv i veprës penale.

Në anën tjetër, mbrotjësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrecë Dodaj, tha se nuk e di a e di prokurori se jemi në rigjykim.

“Gjykata i ka vërtetuar të gjitha gabim, se dëgjova që gjykata ka vërtetu, ka vërtetu, gjykata në fakt ka vërtetuar gabimisht dhe me këtë aktgjykim të Apelit kemi pritë që ka me heq dorë për Gani Ramën.”, tha avokati Dodaj.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci tha se ky proces gjyqësor është rast tipik se si një person mund të futet në baltën e labirinteve juridike.

“Prokuroria në fjalën hyrëse thotë se nuk do ta bëjë analizën e provave, por se aktakuza është vërtetuar nga kjo gjykatë. Kjo është e pasaktë për shkak se aktakuza vërtetohet vetëm atëherë kur e vërteton gjykata e shkallës së dytë”, tha avokati Koci.

Po ashtu, avokati Koci tha se ky proces gjyqësor është rast tipik se si një person mund të futet në baltën e labirinteve juridike nga hetuesi apo edhe prokurori i mëhershëm për motive të panjohura, duke shtuar se për klientin e tij, janë motive të pastra politike.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Isufi, tha se sipas provave është arritur parashkrimi absolut, pasi që sipas tij veprimi i fundit është ndërmarrë më 15 nëntor 2010 dhe tani jemi më 8 nëntor 2021, e që sipas tij përveç që nuk ka elemente të përgjegjësisë penale kjo çështje ka parashkrim absolut.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Veli Hajdaraga, avokati Agim Muhaxhiri tha se aktakuza që e ngarkon të mbrojturin e tij me mashtrim me subvencione është e paqëndrushme.

Në këtë seancë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shaqir Zika, ka marrë vendim që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në shqyrtimin paraprak, ndërsa ka vendosur që t’i ftojë në seancën e radhës grupin e ekspertëve të Fakuletit Ekonomik të Univeristetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ndërsa, ky trup gjykues e ka refuzuar propozimin e avokatëve Koci dhe Isufi që ekspertiza e ekspertit financiar të ndjerë Q.H, të shpallet si provë e papranueshme, por se e njëjta, sipas trupit gjykues, do të vlerësohet me ekspertiza tjera.

Gjithashtu është vendosur që nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, përkatësisht zyra e burimeve njerëzore të kërkohen të dhënat se kur është emëruar i akuzuari Rama në cilësinë e zyrtarit kryesor financiar në këtë komunë.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 13 dhjetor 2021.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar Lekajn me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Të akuzuarin Rama e kishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa i akuzuar Isufi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Ndaj tyre ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, që përfshinte ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi ishte shqiptuar dënimi unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimi me burgim me kusht prej 1 viti. Po ashtu, ishte obliguar që në emër të dëmit të shkaktuar t’ia kompensojë ATK-së shumën totale prej 24 mijë e 718 euro e 59 centë.

Katër të akuzuarit ishin obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69 mijë e 786 euro.

Mirëpo, Apeli e ka prishur këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.

Apeli e ka lënë në fuqi vetëm pjesën e dënimit për shmangie nga tatimi për të akuzuarin Veli Hajdaraga, duke ia vërtetuar dënimin prej 3 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht, si dhe e ka obliguar t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar ATK-së.

Në aktgjykimin e Apelit thuhet se ka paqartësi për kohën se kur janë kryer veprat penale të pretenduara nga ana e ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtarëve komunal, Gani Rama dhe Ismet Isufi dhe të akuzuarit Veli Hajdaraga.

Në gusht të vitit 2019 lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.

Kjo është hera e dytë që rasti ndaj të akuzuarit Rama është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, atë dy herë e kishte liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Gjakovë më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata e Apelit rastin ndaj të akuzuarit Rama e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjakovë, me aktgjykimin e 9 shkurtit të vitit 2018, e kishte liruar përsëri nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2018, e ka kthyer rastin përsëri në rigjykim, duke  e aprovuar kështu ankesën e PSRK-së.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në arsyetim Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka mbështetur tërësisht në mendimin e ekspertit financiar, mirëpo sipas Apelit, eksperti nuk ka dhënë mendim të qartë dhe konkret lidhur me pozitën që ka mbajtur dhe kompetencat që ka ushtruar i akuzuari Rama.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 26 maj 2016, Gani Rama, po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.

Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta.

Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të jetë 218 mijë e  956 euro e 67 centë.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve e kishte ngritur më 10 prill 2016.

Para se aktakuza pjesërisht të hudhej poshtë, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.

Tutje në aktakuzë thuhet se subvencionet janë autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.

Ndërsa, të pandehurit Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, akuzohen se duke e qenë në cilësinë e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve, kanë përpiluar raporte se kinse shpërndarja në teren e subvencioneve është bërë ashtu siç duhet, megjithëse rreth 40% e aplikuesve nuk kanë pranuar subvencionet.

Gjashtë të pandehurit akuzohen se me këto veprime, në periudha të ndryshme nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.

I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.

Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato.

Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, në mars të vitit 2019, e kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të marrë më 10 janar 2019, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), me të cilën aktakuzë, Lekaj dhe Isufi akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kurse Hajdaraga për mashtrim në subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Ndryshe, edhe në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Apelit kishte vendosur në lidhje me ankesat e mbrojtësve në këtë rast, duke e kthyer në rivendosje rastin ndaj Lekajt dhe të tjerëve për sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën pikë, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme kur e kishte konfirmuar akuzën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ndaj të akuzuarve dhe kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të tyre.

Kurse, sa i përket veprës tjetër të përvetësimit në detyrë, për të cilën edhe Themelorja kishte hudhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën gjë e kishte vërtetuar edhe Apeli.

Ish-kreu i Komunës së Gjakovës Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 31 maj të vitit 2018.

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *