Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj ka thënë se është trajtuar me përbuzje nga Prokuroria Speciale në Hagë. Ai ka bërë një deklaratë para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara, ku ndër të tjera ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është e njëjtë me prokuroritë e kohës së ish-Jugosllavisë të cilët nuk kanë prova por i kurdisin gjëra të njëjta në vazhdimësi.

Para trupit gjykues të kryesuar nga Charles L.Smith, Haradinaj ka thënë se po i nënshtrohet një procesi të padrejtë e selektiv të ZPS-së.

“Këto komente të shkurta i bëj si qytetar krenar i Republikës së Kosovës që i është nënshtruar një procesi nga prokuroria që mund të cilësohet vetëm si e padrejtë dhe selektive. Tani ju bëj thirrje të nderuar gjyqtar, të një institucioni kombëtar të vendit tim të linjë, ta përfundoni këtë çështje. Jam trajtuar me përbuzje të plotë nga prokuroria dhe javët e fundit, muajt e fundit kanë treguar fare qartë për të gjithë se frika jonë më e madhe është realizuar. Edhe pse prokuroria nuk e Meriton aspak që unë të jem këtu i pranishëm në këtë sallë dhe të ua bëjë dekorin figurativ, gjithsesi më shtyri parimi bazë që për të vërtetën nuk duhet hezituar kurr, dhe përballja me ata që kërkojnë të shpifin dhe poshtërojnë gjithçka që ne mbrojmë duhet bërë pikërisht për hirë të kësaj të vërtetë”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, ai ka thënë se ndjehet krenar dhe i ka kërkuar trupit gjykues që sa më parë të përfundojë gjyqin ndaj tij.

Akuzat të cilat rëndojnë mbi të, Haradinaj i ka quajtur qesharake, ndërkohë ka thënë se nuk ka asnjë provë kundër tij.

Gjatë fjalimit të tij të cilin nuk arriti ta lexojë të plotë për shkak të kohës së dhënë nga trupi gjykues, Haradinaj ka përmendur të kaluarën e popullit të Kosovës si të përndjekur nga regjimi serb.

“Dua të theksoj këtu para jush se sa kam qenë këtu kam pasur kohë dhe kam bërë një krahasim me ish prokurorët dhe burgjet e ish-Jugosllavisë të vitet ’81, ku këtë e kemi mbijetuar plotësisht si familje, duke filluar nga babi im, vëllai im i madh, personalisht para se t’i mbushja 18 vjeç, me motrën time 15 vjeçare, vëllain tjetër 14 vjeçar, motrën time të vogël e cila ishte vetëm një fëmijë në lasën e gjashtë të shkollës fillore duke mos harruar nën time dhe më vonë pas martesës edhe gruan time, ku ishim të burgosur dhe persekutuar nga vendi ynë që të gjithë duke na ndaluar arsimin, punësimin, ku u nënshtruam burgjeve dhe torturave të tjera shtetërore, dhd në dokumentet tuaja rezultoi se keni të dhëna edhe për këta persona të përndjekur nga viti 1981. Ndaj këtu kuptohet qartë se ku e keni synimin dhe çfarë drejtimi ka marrë kjo prokuroi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar është e njëjtë me prokuroritë që ishin kundër shqiptarëve në kohën e ish-Jugosllavisë.

“Oficerët e ZPS-së, personat që i kanë shënjestër nuk i fotjnë në mënyrë normale, por përkundrazi i nënshtrojnë në kushte frikësimi, pra prokuroria serbe në emër të gjykatave të Kosovës na ndoqi dhe na dënoi ku mjaftonte të plotësonim vetëm dy kushte, duhej të ishim një etnik pra duhej të ishim shqiptar, dhe këtë objektiv e ka edhe ZPS, selektiv pra që nuk pajtoheshim me robërinë njësor pra sikur e kanë edhe çlirimtarët. Kur nuk mund të siguroheshin provat ata i kurdisnin gjërat e njëjta, siç po bënë edhe kjo prokurori. Pra konkludoj se objektivi dhe metodat janë saktësisht të njëta, në faktin se të dhënat që ju referoni me dokumente që kanë dalë nga zyra juaj keni vërtetuar që të vetmet burimet janë ato serbe konkretisht aktakuzat e asaj kohe dhe të njëjtët emra, keni një kryekordinator që organizon si më poshtë, Milovan Drecun, njeriun e njohur zyrtarisht si nga më të besuarit e Millosheviqit”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se do të qëndrojë për drejtësi dhe se nuk mbron asnjë njëri që mund të ketë kryer krime gjatë çlirimit të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit.

Nasim Haradinaj bashkë me ish-kreun e OVL-UÇK, Hysni Gucati po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Ata akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Këtë ngjarje ata e kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike./KP

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *