Në samitin e klimës të Kombeve të Bashkuara që po mbahet në Glasgou të Skocisë, liderët botërorë kanë theksuar pandërprerë nevojën për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius.

Marrëveshja e Parisit e 2015-ës i detyron vendet të kufizojnë rritjen mesatare globale të temperaturës në më poshtë se 2 gradë Celsius dhe të synojnë 1.5 gradë Celsius. Shkencëtarët kanë thënë se kalimi i pragut prej 1.5 gradë Celsius rrezikon të shkaktojë efekte të ndryshimeve klimatike shumë më të rënda te njerëzit, kafshët e egra dhe ekosistemet.

Parandalimi i ngrohjes globale kërkon pothuajse përgjysmimin e emetimeve globale të dioksidid të karbonit (CO2) deri në vitin 2030 nga nivelet e vitit 2010 dhe uljen e emetimeve në zero deri në vitin 2050.

Shkencëtarët, aktivistët dhe politikanët në samitin e quajtur COP26, po debatojnë sesi ta arrijnë këtë.

Por, cili është ndryshimi midis temperaturës 1.5 gradë Celsius dhe 2 gradë Celsius? Agjencia Reuters ka kërkuar nga shkencëtarët ta shpjegojnë këtë:

Cila është situata aktuale?
Tashmë bota është ngrohur në rreth 1.1 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Katër dekadat e fundit ishin më të nxehta se çdo dekadë, që nga viti 1850.

“Kurrë nuk kemi pasur një ngrohje të tillë globale që përfshin disa dekada”, tha shkencëtarja e klimës, Daniela Jacob, nga Qendra e Shërbimit Klimatik në Gjermani.

“Gjysmë gradë do të thotë mot shumë më ekstrem, i cili mund të jetë më i shpesht, më intensiv e me kohëzgjatje më të madhe”, tha Jacob.

Vetëm këtë vit, shirat e rrëmbyeshëm përmbytën Kinën dhe Evropën Perëndimore, duke lënë të vrarë qindra njerëz.

Edhe qindra viktima tjera u shënuan kur temperaturat arritën nivele rekord në Paqësorin Veriperëndimor. Grenlanda u përball me shkrirje masive të akujve, zjarret shkatërruan Mesdheun dhe Siberinë, ndërsa në Brazil thatësira arriti nivele rekord këtë vit.

“Ndryshimet klimatike tashmë po prekin çdo rajon të banuar në të gjithë globin”, tha shkencëtarja klimatike, Rachel Warren nga Universiteti i Anglisë Lindore.

Shi, nxehtësi, thatësirë
Nëse ndodh ngrohja mesatare më shumë se 1.5 gradë Celsius atëherë ndikimet e tilla do të jenë edhe më të mëdha.

“Sa herë që ka rritje të ngrohjes globale, ekstremet e motit bëhen më të mëdha”, tha shkencëtarja e klimës, Sonia Seneviratne, nga Universiteti kërkimor publik në qytetin e Cyrihut në Zvicër.

Për shembull, valët e nxehtësisë do të bëhen më të shpeshta dhe më të rënda.

Një ngjarje ekstreme e motit që ndodhte një herë në dekadë- kur ndikimi njerëzor nuk ishte i vërejtshëm në klimë – me temperaturën mesatare globale 1.5 gradë Celsius do të ndodhte mbi 4 herë më shumë ndërsa me temperaturën 2 gradë Celsius do të ndodhte mbi 5 herë më shumë.

Kështu ka thënë paneli i shkencës klimatike të OKB-së.

Nëse do ta lejojmë temperaturën mesatare të bëhet 4 gradë Celsius atëherë një ngjarje e tillë mund të ndodhë 9.4 herë në dekadë.

Nëse klima është më e ngrohtë atëherë edhe niveli i lagështisë është i lartë gjë që çon në reshje ekstreme dhe rrjedhimisht më shumë përmbytje. Kushte të tillë rrisin avullimin duke çuar në thatësira më intensive.

Oqeanet, detet dhe akujt
Për rajonet e ngrira dhe oqeanet dallimi midis 1.5 gradë Celsius dhe 2 gradë Celsius është kritik.

“Nëse e mbajmë temperaturën në 1.5 gradë Celsius, kemi një mundësi të mirë të parandalojmë kolapsin e pjesës më të madhe të akullit të Grenlandës dhe Antarktikut Perëndimor”, tha shkencëtari i klimës, Michael Mann, nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë në Shtetet e Bashkuara.

Mbajtja nën kontroll në këto nivele të ngrohjes do të ndihmonte edhe në kufizimin e rritjes së niveleve të detit deri në fund të shekullit, megjithëse do të ishte një ndryshim i madh që do të gërryente vijat bregdetare dhe do të përmbyste disa vendbanime ishullore dhe qytete bregdetare.

Por, nëse temperatura mesatare kalon 2 gradë Celsius shtresat e akullit mund të shemben, tha Mann dhe rritja e nivelit të detit do të shkonte deri në 10 metra.

Ngrohja prej 1.5 gradë Celsius do të shkatërronte të paktën 70 për qind të shkëmbinjve koralorë, por në 2 gradë celsius do të zhdukte më shumë se 99 për qind.

Pastaj kjo do të rezultonte me shkatërrimin e habitateve dhe llojeve të peshqve që jetojnë në shkëmbinjt nënujorë për të siguruar ushqim.

Ushqimi, pyjet, sëmundjet
Ngrohja prej 2 gradë Celsius do të kishte gjithashtu ndikim në prodhimin e ushqimit.

“Nëse dështojnë të korrat në disa pjesë të botës, atëherë do të përballemi me rritje ekstreme të çmimeve të ushqimit, uri dhe vështirësi në sigurimin e bukës në zona të gjera të botës”, tha shkencëtari i klimës, Simon Lewis, nga Kolegji Universitar i Londrës.

Një një botë më të ngrohtë, mushkonjat do të bartnin sëmundje të tilla si malaria dhe të tjera. Por, nëse ngrohja arrin nivelet 2 gradë Celsius atëherë një pjesë e madhe e insekteve dhe kafshëve do humbasin pjesën më të madhe të gamës së habitatit të tyre, krahasuar me 1.5 gradë Celsius.

Rreziku i zjarreve në pyje do të rritej duke rrezikuar jetën e botës së egër.

Kthesa e rrezikshme
Derisa bota po ngrohet ekziston rreziku planeti të arrijë në një “kthesë të rrezikshme” një situatë në të cilën sistemet e Tokës kalojnë pragun dhe pastaj ndikimet janë të pakthyeshme.

Nuk dihet saktësisht se kur mund të arrihet kjo.

Për shembull thatësirat, reduktimi i reshjeve dhe shkatërrimi i vazhdueshëm i Amazonës përmes shpyllëzimit, mund të shkaktojë kolapsin e sistemit të pyjeve. Pastaj këto rajone në vend se ta ruajnë C02-in do ta lëshojnë atë në atmosferë.

Pastaj, ngrohja e përhershme e Arktikut mund të shkaktojë dekompozimin e biomasës së ngrirë prej kohësh, duke çliruar një sasi të madhe të emetimeve të karbonit.

“Kjo është arsyeja pse është kaq e rrezikshme të vazhdosh emetimin e lëndëve djegëse fosile sepse kështu po rriten gjasat që të kalojmë një nga ato pikat kthese”, tha Lewis.

Përtej 2 gradë Celsius
Deri më tani, premtimet për klimën që vendet kanë dorëzuar në regjistrin e premtimeve të Kombeve të Bashkuara e vënë botën në rrugën e duhur për ngrohje 2.7 gradë Celsius.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka thënë më parë se premtimet e reja të shpallura në samitin COP26 – nëse zbatohen – mund të mbajnë ngrohjen nën 1.8 gradë Celsius.

Megjithatë disa ekspertë e kanë kundërshtuar këtë llogaritje.

Mbetet për t’u parë nëse ato premtime do të përkthehen në veprime konkrete.

Ngrohja prej 2.7 gradë Celsius do të shkaktonte “nxehtësi në të cilën nuk mund të jetohet” në disa pjesë të botës kryesisht ato tropikale.

Biodiversiteti do të varfërohej jashtëzakonisht shumë, siguria ushqimore do të përkeqësohej dhe moti ekstrem do të cenonte shumicën e infrastrukturës urbane, kanë thënë shkencëtarët.

“Në ngrohjen 2.7 gradë Celsius do të përjetonim vështirësi të mëdha”, tha Mann.

By admin2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *