Kështu tha për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbokroate Daniel Serwer, profesor në universitetin “Johns Hopkins” në Washington.

Në këtë intervistë, Serweri shpjegoi se letra nuk ishte asgjë më shumë se një përpjekje për të nënvizuar çështjet që anëtarët e Kongresit i konsiderojnë shumë të rëndësishme, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias në Serbi.

“Natyrisht se numri i tyre paraqet një përqindje shumë të vogël të anëtarëve të Kongresit, por nga ana tjetër angazhimi i tyre megjithatë kërkon përpjekje”, shpjegoi ai, transmeton Zeri.info.

“Nuk ka dyshim se ata ndjejnë një përkushtim të fortë ndaj temave që kanë përmendur – duke pasur parasysh se kanë vënë nënshkrimin e tyre në letër, kështu që nuk mund të thuhet se adresa e tyre është e parëndësishme”, tha më tej Serweri.

Sipas tij, ky dokument dhe vetëm adresimi te presidenti amerikan mund të mos kenë shumë fuqi, por kanë njëfarë ndikimi.

“Ata po diskutojnë me njerëz në Departamentin e Shtetit për sanksionet e mundshme që lidhen me korrupsionin ose një lloj demarshi për shkak të lirive të medias. Pra, kjo është më shumë çështje ndikimi, jo pushteti, kjo është një lloj fuqie e butë”, beson Serweri.

Një letër nga anëtarët e Kongresit drejtuar presidentit Biden u publikua të dielën, gjatë së cilës politikani opozitar serb Dragan Gjilas vizitoi Shtetet e Bashkuara, ku u takua me Gabriel Escobarin, zyrtarin e administratës përgjegjës për Ballkanin. Kjo ka shkaktuar kritika të ashpra dhe reagime inkriminuese nga autoritetet serbe, nga presidenti dhe kryeministrja dhe zyrtarët e partisë – me pretendimet se Gjilasi po minon interesat e shtetit serb dhe madje po punon kundër tij në bashkëpunim me disa kongresistë amerikanë, lobistë për shqiptarë dhe boshnjakë.

Daniel Serwer vëren se reagime të tilla tregojnë deri në atë pikë se Serbia nuk është një demokraci e konsoliduar.

“Sepse ajo nuk është në gjendje të tolerojë veprimtari krejtësisht legjitime të qytetarëve të saj në bisedat me të huajt. Nuk është e mundur të bindësh ose të detyrosh një kongresist të shkruajë një letër. Le të jemi seriozë. Një gjë e tillë mund të shkruhet në bazë të një analize dhe shqyrtimi të kujdesshëm, nëse jo të vetë anëtarëve të Kongresit, atëherë të bashkëpunëtorëve të tyre. Opozitari serb mund të vizitojë Washingtonin dhe të tregojë rëndësinë e luftës kundër korrupsionit në Serbi. Kjo është e mundur dhe normale”.

“Kam vizituar shpesh vende të ndryshme, kam biseduar me deputetë, duke përcjellë mendime që mund të jenë ose jo në përputhje me Shtëpinë e Bardhë. Në një demokraci ka një rrjedhë të lirë idesh dhe opinionesh, përgjegjësia për atë që është në letrën e anëtarëve të Kongresit është mbi ta – dhe jo mbi këdo që ishte në Washington”, nënvizon profesori Serwer, transmeton Zeri.info.

Ai i interpreton si të pamundura akuzat e kryeministres serbe Ana Bërnabiq se Gjilasi i ka paguar kongresistët amerikanë për të shkruar një letër ku paralajmërojnë mbi gjendjen e demokracisë në Serbi dhe propozojnë sanksionimin e atyre që shkaktojnë destabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Sidomos për shkak se xhepat e opozitës serbe nuk janë aq të thella sa për t’i paguar dikujt diçka. Për më tepër, përshkrimi që jepni tingëllon i paligjshëm. Unë nuk jam avokat, por njerëzit në Kongres nuk mund të pranojnë para nga të huajt për të marrë ose shprehur pikëpamjet për ndonjë gjë. Pretendime të tilla tingëllojnë shumë të dyshimta”, nënvizon Serweri, i cili thekson se takimi i Dragan Gjilasit me Gabriel Escobarin nuk është aspak i pazakontë.

Ai shpjegon se procedura në këtë drejtim është zakonisht mjaft e thjeshtë.

“Sidomos në këtë rast, sepse një numër i madh i njerëzve nga Serbia e kanë adresën e tij elektronike, të cilën ai e ka përdorur në Beograd. Dhe, me sa di unë, ai ende nuk e ka ndryshuar atë. Ju i dërgoni një mesazh dhe ai vendos nëse do të takohet me ju ose jo. Nëse ka dyshime, ai mund të konsultohet me shefin e tij, ndihmës sekretarin ose në departamentin për Serbinë në Departamentin e Shtetit. Të jeni të vetëdijshëm se është krejt normale që zyrtarët amerikanë të takohen, jo vetëm me zyrtarë të qeverive të huaja, por edhe me anëtarë të opozitës – veçanërisht kur ata janë rrugës”, thotë ai, duke vënë në dukje se këtyre takimeve i kushtohet vëmendje e madhe.

“Të gjithë diplomatët amerikanë, përfshirë sekretarin e shtetit, inkurajohen të takohen me përfaqësues të opozitës, të OJQ-ve dhe të komunitetit më të gjerë – veçanërisht në vendet që e konsiderojnë veten demokratike, sepse në fund të fundit forcat opozitare një ditë mund të vijnë në pushtet. Ju dëshironi t’i njihni ata, si dhe të dini çfarë mendojnë. Escobari njeh shumë njerëz nga Beogradi – me siguri se nuk do t’ia përplasë derën dikujt që njeh”, përfundon profesori i universitetit “Johns Hopkins”, Daniel Serwer.

Letra e shtatë anëtarëve të Kongresit është dokumenti i tretë në të cilin përmendet Serbia, e cila së fundi i është dërguar presidentit amerikan. Në fillim të tetorit, kongresistët dhe anëtarët e grupit parlamentar shqiptar iu drejtuan Bidenit dhe sekretarit të Shtetit Anthony Blinken, duke kërkuar përfshirje më të madhe të SHBA-së në mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi.

Pas kësaj letre, dy shtetarë iu drejtuan organizatave të diasporës shqiptare, boshnjake dhe malazeze duke shprehur shqetësimin për atë që ata thanë se ishte sjellje gjithnjë e më luftarake e Beogradit ndaj Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe kërkuan përfshirje më të madhe dhe më aktive të Washingtonit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. /Zëri

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *