Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Rusisë që të shmangë përshkallëzimin e tensioneve në kufirin me Ukrainën.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin, Stoltenberg tha se, NATO po ndjek nga afër situatën në kufirin e Ukrainës.

Duke vënë në dukje mbështetjen për Kievin, Stoltenberg tha se, “në afërsi të kufirit të Ukrainës shikojmë intensitetin më të madh dhe më të jashtëzakonshëm të forcave ruse. Rusisë i bëjmë thirrje që të jetë transparente, të mos përshkallëzojë tensionet, të ndihmojë dhe të ulë tensionet përgjatë kufirit me Ukrainën”.

Ai tha se është urgjente që Rusia të tregojë transparencë për çështjen e lëvizshmërisë së saj ushtarake në zonat e afërta me kufirin. “NATO po ndjek nga afër situatën. Vazhdojmë të sigurojmë mbështetje politike dhe praktike për Ukrainën”, shtoi Stoltenberg.

Stoltenberg theksoi se, NATO ka nevojë për një Gjermani të fuqishme politikisht dhe ushtarakisht, duke shtuar se, “kjo në të njëjtën kohë nënkupton se kemi nevojë për një ushtri gjermane që i ka të gjitha përvojat për të mbrojtur vendin”.

Edhe kancelarja Merkel shprehu shqetësimet e saj lidhur me aktivitetet e fundit ushtarake të Rusisë në rajon. “Pavarësisht problemeve, dialogu me Rusinë nuk duhet të shkëputet”, tha Merkel.

“Gjithmonë e kam mbështetur dialogun mes NATO-s dhe Rusisë. Edhe pse mes NATO-s dhe Rusisë ka dallime të mëdha, besoj se vazhdimi i bisedimeve mes nesh do të jetë gjithmonë më i mirë”, theksoi kancelarja gjermane.

Në rajonet lindore të Ukrainës mosmarrëveshjet vazhdojnë që nga marsi 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë në mënyrë të paligjshme. Vendet Perëndimore akuzojnë Rusinë për destabilizim të rajonit duke siguruar mbështetje ushtarake për separatistët/atsh

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *