Magdalena Andersson e ka siguruar numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvendin e Suedisë për t’u bërë kryeministrja e parë grua e shtetit të pasur skandinav, duke e zëvendësuar në këtë post ish-kryeministrin Stefan Lofven.

Suedia ishte shteti i vetëm skandinav që deri më tani nuk kishte emëruar asnjëherë ndonjë grua si udhëheqëse kombëtare, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Zonja Andersson të mërkurën nuk arriti të siguronte vota të mjaftueshme të deputetëve për t’u bërë shefe e organit ekzekutiv. Megjithatë, ajo u zgjodh në këtë post, pasi, sipas ligjeve suedeze, ajo kishte nevojë vetëm që shumica e deputetëve të mos votojnë kundër saj.

Zgjedhja e saj në krye të qeverisë erdhi pas një marrëveshjeje me partinë opozitare të Së Majtës, në këmbim të pensioneve më të larta për shumë suedezë.

Nga 349 deputetët suedezë, 174 votuan kundër zonjës Andersson. Andersson e kishte filluar karrierën politike në vitin 1996 si këshilltare politike e kryeministrit të atëhershëm, Goran Persson.

Atë e pret një detyrë e vështirë që në fillim të mandatit, pasi partitë opozitare të së djathtës kanë thënë se do ta refuzojnë projekt-buxhetin që do të paraqitet nga qeveria.

By admin2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *